Fëmijët e rrugës. Qendrat sociale, stacioni i fundit i një itinerari të dhimbshëm

25/12/2017 15:49

Çdo ditë, Klodi dhe Esmeralda dalin në terren për të evidentuar rastet e fëmijëve në situatë rruge e për t’i referuar në qendrat sociale si “stacionin” e fundit të itinerarit që të vegjlit përshkojnë.

Në rrugët e Tiranës, në sajë të një monitorimi të bërë vihet re se numri i fëmijëve të rrugës që lypin ose shesin produkte të ndryshme është ulur. Megjithatë, pikat më të nxehta që monitorohen nga punonjësit socialë janë Rruga Elbasanit, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi Skënderbej, Xhamia Et`hem Beu, Piazza, Pedonalja, kryqëzimi i 21 Dhjetorit, kryqëzimi te shkolla “Vasil Shanto”, ish-Blloku, kompleksi Taiëan dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza”.

“Kemi më shumë se një vit që dalim në terren. I afrohemi dhe i pyesim me shumë dashamirësi dhe ëmbëlsi”, thonë vajzat.

Në qendrën sociale aktualisht ka 50 fëmijë që marrin shërbime për përmirësimin e jetesës dhe shkëputjes një herë e përgjithmonë nga rruga. Shërbimet konsistojnë në ushqim, ndihmë me rroba, medikamente, libra ose për procedura dokumentacionesh.

Matilda Zizolli, përgjegjëse e Qendrës Sociale Multidisiplinare, shprehet: “Grupmoshat janë të ndryshme. Ka fëmijë të vegjël që qëndrojnë në krahë të nënave e deri te fëmijët më të rritur. Integrimi kërkon kohë dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve”.

Marieta e ka trashëguar lypjen nga familja dhe i njëjti fat ka ndjekur edhe dy vajzat e saj. Prej 3 vitesh, vajzat ndjekin shkollën dhe nuk dalin më në rrugë.

“Një e mbaja në krahë dhe një për dore. Edhe në shi kemi dalë sepse nuk kemi pasur për të ngrënë”, tregon Marieta.

Fëmijët janë ata që duan të harrojnë gjithçka ka ndodhur në rrugë, duke u shprehur të bindur se nuk duan të përfundojnë më asnjëherë duke lypur ose shitur.

Numri i fëmijëve në situatë rruge të evidentuar nga 8 skuadrat e terrenit gjatë vitit 2017 është 291 fëmijë. Qytetet nga vijnë më së shumti këto familje që shfrytëzojnë fëmijët dhe veten duke jetuar me të ardhurat e lypjes janë Elbasani, Shkodra dhe Berati dhe rreth 70% e rasteve janë nga komuniteti rom ose egjiptian.

Top Channel