Djali vret babain me çekiç, policia gjen trupin në liqenin e Farkës

24/12/2017 09:26

Një krim i rëndë në familje tronditi kryeqytetin mëngjesin e së dielës.

Selman Alija, 28 vjeç, që dyshohet se vuan nga problem mendore, masakroi për vdekje me çekiç babain e tij 74-vjeçar, e më pas trupin e hodhi në liqenin e Farkës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së premtes, në banesën e familjes Alija me origjinë nga Kukësi, të cilët prej vitesh kishin ndërtuar shtëpinë e tyre në rrugën “Agush Gjergjevica”, në zonën e Shkozës.

Por pasditen e së shtunës, një nga djemtë e tjerë të familjes ka njoftuar policinë, se babai Fejzo Alija nuk ishte kthyer në shtëpi që prej të premtes dhe se nuk përgjigjej në telefon.

Inpektorët e policisë, që ndoqën rastin, gjetën në banesë gjurmë gjaku dhe nisën hetimet, që çuan në zbulimin e vrasjes së rëndë.

Palombarët nxorën trupin e viktimës nga liqeni, të mbështjellë me një qilim, ndërsa nga banesa në Farkë, autori e kishte transportuar me një automjet Wolksvagen, ndonëse nuk kishte leje drejtimi.

Fqinjët thonë jashtë kamerave se, “Mani” – siç e njihnin ata në lagje, – ishte një tip i mbyllur, por dyshimet për problemet e tij mendore janë shtyrë edhe nga deklaratat e tij paraprake në polici.

Sipas burimeve, ai ka dhënë dëshmi kontradiktore, ndërsa në një moment është shprehur se babai donte ta martonte dhe i kishte thenë se nusen do ta mbanin bashkë. Në banesën e Aliajve ka pasur konflikte të vazhdueshme edhe pas divorcit të kryefamiljarit, ndërsa autori i krimit kishte caktuar edhe ditën e dasmës pas pak javësh.

Viktima Fejzo Alija punonte shofer i një triçikli për transport mallrash, ndërsa djali që e vrau ishte i papunë. Dy djemtë e tjerë të familjes dhe vajza njiheshin nga fqinjët si njerëz punëtorë, që kanë qenë vazhdimisht në emigracion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA