Vdekja e Florencit në Marsejë, familja e 23-vjeçarit nga Shkodra kërkon të vërtetën

23/12/2017 19:45

Florenc Beqiraj, 23 vjeç nga Shkodra, u deklarua i vdekur ditën shtunë në spitalin e Marsejës. Top Channel ishte i vetmi televizion që e raportoi këtë ngjarje fatkeqe, që u bë virale në rrjetet sociale.

Njerëz të njohur të showbizit e denoncuan këtë si rast dhune të policisë franceze dhe si mungesë interesimi nga shteti shqiptar. Por ambasada shqiptare në Paris, që u kontaktua nga Top Channel, thotë se është interesuar për këtë rast që ditën që ka ndodhur, më 15 dhjetor, kur për një rastësi të çuditshme, në Tiranë ndodhej për vizitë ministri i brendshëm francez Gerar Kolomb, që preku çështjen e azilkërkuesve nga Shqipëria.

Florenc Beqiraj kishte qenë pikërisht një i ri në kërkim të një jete më të mirë, që kishte kërkuar azil në Francë. Pas refuzimit të kërkesës, Florenci kishte qëndruar në Francë në situatë të parregullt, derisa policia e kishte kapur pa dokumente gjatë një kontrolli rutinë.

Në këtë moment Florenci nuk u fut në burg, sepse nuk kishte bërë vepër penale, por në një qendër për emigrantë ilegalë, në pritje të largimit të detyruar nga vendi. Autoriteteve franceze, që raportohen prej ambasadës sonë në Paris, dyshojnë se për të zgjatur qëndrimin në Francë, Florenci ka tentuar të dëmtojë veten një ditë përpara dëbimit, duke stimulur një vetëvrasje me litar, që ka marrë për keq.

Ngjarja ka ndodhur pra të premten e datës 15 dhjetor, dhe tre ditë më vonë, të hënën, i riu ishte në vdekje klinike. Por spitali i Marsejës e mbajti në jetë deri në mbërritjen e të atit. Ambasadori shqiptar në Paris, Dritan Tola i kontaktuar me telefon nga Top Channel, konfirmoi se megjithatë është hapur një hetim për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Kurse presidenti i Republikës Ilir Meta u shprehu ngushëllimet familjes dhe bisedoi me ambasadorin e Shqipërisë në Francë për të mundësuar sjelljen e trupit të pajetë në Shqipëri në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkaq në Shkodër familja Beqiraj në Shkodër ka hapur dyert e mortit.

“Djali ka qenë normal. Rrahjet e zemrës i kishte normal, tensionin po ashtu. Vetëm ka qenë i dëmtuar në qafë dhe nëpër duar, ia ka parë burri. teli i kishte hyrë në mish”, shprehet mamaja e të ndjerit, Laureta Beqiri.

“Trupin e djalit të ma sjellin sa më parë. Se ne nuk kemi”, thotë Fife Rexha, gjyshja e Florencit.

Familja e Florencit pret kthimin e trupit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, tragjike për ta.

Top Channel