Pastrimi, Veliaj: Kompanitë që nuk respektuan kontratën, nuk do punojnë më

23/12/2017 10:46

Ka nisur aksioni i pastrimit vullnetar të Tiranës, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj iu bashkua vullnetarëve në zonën e Bregut të Lumit. Ai tha se 2018 do të jetë viti më i pastër në historinë e kryeqytetit.

Veliaj tha se do të ketë shtrirje të shërbimit të pastrimit në më shumë zona periferike, duke u shprehur se kompanitë që nuk respektuan kontratën, nuk do të punojnë më.

Nga 300 pika problematike dy vite më parë, falë reformimit të gjithë sistemit të pastrimit, sot në kryeqytet janë vetëm 30 pika që kanë nevojë për ndërhyrje. Veliaj theksoi se puna më e madhe dhe e vështirë është emancipimi i qytetarëve për t’u kujdesur për mjedisin përreth dhe për ta mbajtur pastër atë.

“Në qoftë se në fillim identifikuam rreth 300 hot spote, vatra e qendra problematike në Tiranë, sot situata është si dita me natën. Sot kemi vetëm 30 pika. Jemi fokusuar në këto 30 vatra papastërtish, të krijuara kryesisht prej neglizhencës, nga qytetarë që edhe pse i kanë koshat afër, prapë mbeturinat i hedhin diku tjetër, 10-15 metra larg koshit. Mund të shtrojmë rrugë me qindra kilometra, por 10 centimetrat që na ndajnë nga ndjesia e të jetuarit në komunitet, duket se janë më të vështira për t’u shtruar. Ndaj besoj se puna më e madhe nuk do jetë vetëm tek pastrimi, por edhe tek emancipimi”, tha ai.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë pastër mjedisin e të sillen si evropianë. Duke e cilësuar Tiranën si kryeqytetin më të pastër në rajon, Veliaj theksoi se standardi i ruajtjes së pastërtisë duhet të shtrihet në çdo lagje të qytetit. “Sot jemi duke pastruar një zonë këtu pranë Bulevardit të ri, në Njësinë 9. Duket që ka një kontrast midis Bulevardit të Ri, i cili është një shprehje modernizmi, që duket si jashtë shtetit, dhe disa prej xhepave anës bulevardit, ku përpara se të themi “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa dhe si jashtë shtetit”, duhet të sillemi si evropianë. Fakti që gjëja e parë që çdo i huaj, gazetar, këngëtar, artist, udhëtar, turist, vë re është që Tirana është më e pastër dhe ndoshta kryeqyteti më i pastër në rajon. Duam ta ruajmë këtë reputacion, falë ndihmës që do na japë çdo qytetar për t’u sjellë si evropianë, përpara se të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE”, nënvizoi Veliaj.

Ai siguroi qytetarët e Tiranës se 2018 do të jetë viti më i pastër në historinë e kryeqytetit, ndërsa bëri të ditur se shërbimi i pastrimit do të shtrihet edhe në shumë zona të tjera në periferi. “Do të kemi një mikromenaxhim edhe në nivel të njësive administrative të të gjithë kontratave të pastrimit dhe më vjen mirë që kompania jonë publike, jo vetëm ka bërë një punë më të mirë, por ka detyruar edhe privatët që kanë zonat më periferike që të rrisin nivelin. Sigurisht, ky ka qenë edhe një vit ku kemi penalizuar shumë kompani të cilat nuk kanë bërë punën e duhur dhe kjo është arsyeja pse nuk do pastrojmë më Tiranën në vitin 2018. Në këto zona periferike, do të shtrijmë zgjerimin e kompanisë sonë publike dhe do të sigurohemi që me të njëjtin standard që pastrohet qendra e Tiranës, të pastrohet edhe periferia”, përfundoi Veliaj.

Një ditë më parë, nga aksi Tiranë-Rinas nisi aksioni kombëtar për pastrimin e Shqipërisë, të cilës iu bashkua e Bashkia e Tiranës, duke bërë një pastrim të akseve kryesore hyrëse të qytetit. Ndërkohë, aksioni i sotëm u përqendrua në lagjet dhe blloqet e pallateve.

Top Channel