Ndërroi jetë në Marsejë, Meta i shpreh ngushëllimet familjarëve të Beqirajt

23/12/2017 17:04

Me anë të zëdhënësit të tij, Presidenti Ilir Meta i shpreh ngushëllimet familjarëve të Florenc Beqirajt.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, bisedoi me familjarët e Florenc Beqiraj, duke u shprehur ngushëllimet e Presidentit Meta e njëkohësisht u bëri me dije mbi interesimin e tij për sqarimin e rrethanave që çuan në humbjen e jetës së Florencit.

Zëdhënësi informon se Presidenti Meta bisedoi me Ambasadorin e Shqipërisë në Francë për të mundësuar sjelljen e trupit të tij të pajetë në Shqipëri në një kohë sa më të shpejtë.

Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azilin. Ai është ndaluar nga policia dhe për mungesë dokumentacioni përfundoi në burg. Pikërisht gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që e çoi 23-vjeçarin në fund të jetës.

Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. Zërat që thonë se i riu ka tentuar vetëvrasjen nuk pranohen nga familja. Të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, ose nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë.

E motra e tij që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.

Sipas të motrës, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga ambasada shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar.

Vetë Ministria e Jashtme thotë se nuk ka ende një version zyrtar hetimor nga autoritetet franceze dhe shton se ambasada jonë në Paris është në kontakt të vazhdueshëm me palën franceze për rastin në fjalë.

Top Channel