Në letrën që Presidenti i Republikës Ilir Meta i dërgoi presidentit amerikan Donald Trump të premten, i shprehu keqardhje për votën e Shqipërisë pro rezolutës së OKB-së që e konsideron nul vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Shtetit të Izraelit.
Në këtë letër Presidenti Meta e siguron homologun e tij amerikan se do të kërkojë personalisht shpjegime për këtë votë që, sipas tij nuk shpreh qëndrimin shtetëror të Shqipërisë dhe për të cilën institucioni i presidentit të republikës nuk ishte pyetur.
Top Channel pyeti sot dy analistë, Skënder Minxhozin, ish-këshilltar i ministrit të jashtëm dhe Afrim Krasniqin, ish-këshilltar i dy presidentëve të Republikës, të cilët komentuan letrën e Presidentit Meta.
Skënder Minxhozi: Kjo është një histori shqiptare, një histori e shëmtuar shqiptare. Letrën e pamatur e shoh si një veprim të pamatur, foshnjarak dhe disi qesharak madje. Është një histori e vjetër ku shqiptarët spiunojnë shqiptarët te të huajt. Dyshoj që zoti Meta e ka bërë sado pak për të fituar simpatinë e amerikanëve se sa për t’i tërhequr veshin Ramës.
Afrim Krasniqi, ish-këshilltar i Presidentit: Nëse ne shohim praktikën e vendeve që operojnë në këtë mënyrë, me letër paralele dërguar, tradicionalisht kjo ndodh në vende ky ka dy etni ose konflikt të thellë fetar dhe ku përfaqësues të njërës palë ndjehet i papërfaqësuar. Është absurde që Shqipëria, një shtet me asnjë problem etnik dhe fetar, Presidenti të ketë një pikëpamje krejt të ndryshme nga Qeveria dhe me një letër direkte të kërkojë shfajësimin, duke thënë se unë jam përfaqësuesi i shtetit. Shteti shqiptar përfaqësohet si nga Parlamenti, si nga Presidenti, si nga Qeveria dhe do të duhet që letra e Presidentit duhet të reflektonte edhe mendimet e konsultuara të tre palëve. Fakti që Presidenti ka zgjedhur një metodë krejt tjetër, mendoj se nuk i bën nder Shqipërisë që të mendojnë se është një lëvizje diplomatike e gabuar. Mendoj se më shumë lidhet me kreditet e tij personale se sa me raportet e Shqipërisë dhe SHBA.
Skënder Minxhozi: Unë jam dakord që zoti Meta duhet të konsultohej paraprakisht për votën në OKB dhe këtu ai ka të drejtë, por që të bëjë letra në adresë të të huajve, qofshin këta edhe amerikanët kjo më duket e pamatur dhe e pamenduar, një agresivitet i kot që na bën qesharak në sytë e botës.
Afrim Krasniqi: Mendoj se duhet të ishte konsultuar. Ministri i Jashtëm ose Kryeministri duhet të konsultoheshin, madje jo vetëm me presidentin, por edhe me opozitën, në mënyrë që të gjitha palët të ishin në unison me këtë qëndrim. Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës është një aktor shumë i rëndësishëm në politikën e Jashtme dhe kërkohet me insistim që ai të jetë pjesë e çdo vendimmarrje, qofte edhe e konsultimeve.
Top Channel