Në drejtim të një banese të fisit Çapja në Elbasan, mëngjesin e së shtunës u qëllua me breshëri automatiku. Ngjarja ndodhi rreth orës 09.00 në lagjen “Emin Matraxhiu”, ndërsa pak minuta më vonë policia gjeti një automjet të djegur në lagjen “5 maji” që mendohet të jetë i autorëve.

Automjeti rezultoi me targa të falsifikuara. Sipas burimeve fuoristrada “Mercedes Benz” ishte përshtatur në mënyrë identike me të dhënat e një mjeti tjetër, i cili është verifikuar nga policia dhe pronari i saj u gjet në banesën e tij.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve por ende nuk ka një pistë konkrete mbi motivate e ngjarjes. Çapjat nuk janë një emër i panjohur për policinë. Në qytetin e Elbasanit ata janë të njohur për konfliktet ndër vite dhe ngjarjet kriminale ku janë përfsihrë anëtarë të kësaj familjeje.
Historia e krimeve të pazbardhura ka si moment nisjeje vitin 2005 , pas një konflikti mes ish-shefit të Qarkullimit Rrugor të Elbasanit Fadil Mema dhe Sokol Çapjas ku mbeti i vrarë ky i fundit. Policia identifikoi si autorë nipat e oficerit të policisë. Nuk do të vononte reagimi, kur në maj të 2006 vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi. Pas një periudhe qetësie të rremë, kalvari i vrasjeve rihapet në vitin 2012 me Gentian Beqirin, një nga të akuzuarit për vrajen e Sokol Çapjas dhe që ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata. Ngjarjet do të zhvendoseshin në Itali, ku në mars të vitit 2015 ekzekutohet ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema, në qytetin e Torinos.

Ndërsa një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjarë të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi një atentat i rëndë që njihet si “masakra e Elbasanit”, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan. Në prill të 2016-s ekzekutohet në një hotel në Tiranë shtetasi Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës.
Po ashtu në korrik të 2016-ës disa anëtarë të fisit Çapja e arrestuan nga policia pasi qëlluan disa agjentë civilë të policisë që po i mbanin nën vëzhgim.
Mbiemri i tyre pak kohë më parë u përmend në parlamente dhe nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA