Veliaj: Reduktimi i qeseve plastike, nuk patëm probleme nga reshjet

22/12/2017 10:15

Aksioni i pastrimit nisi nga aksi rrugor Qafë Kashar-Rinas, ku përveç bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit, e Arsimit dhe Kulturës morën pjesë vullnetarë dhe nxënës nga gjimnazet e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan këtij aksioni në prag të festave të fundvitit dhe ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në pastrimin e qytetit.

“Unë besoj se nuk ka fabul më të bukur se sa në prag të vigjiljes për vitin e Skënderbeut, ne të pastrojmë njëkohësisht dy kryeqytetet tona, kryeqytetin e ri që është kryeqyteti i Tiranës dhe atë të vjetër që është kryeqyteti i Krujës. A ka gjë më të bukur se sa të na gjejë 2018, pastër dhe të mobilizohemi të gjithë, me aq fuqi sa kemi, për të pastruar”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi dhe nismën e marrë nga Bashkia e Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike në kryeqytet, ku është arritur të ulet përdorimi i tyre me 60 për qind, çka solli që kryeqyteti të mos kishte probleme gjatë reshjeve.

“Ne kemi patur një ide fantastike në Tiranë, çmimi i qeseve 50 lek të vjetra nuk është një çmim që e vret xhepin e dikujt që shkon dhe blen në supermarket të shtrenjtë, por është mjaftueshëm për t’iu kthyer si barrierë psikologjike në kokë që ta refuzoj qesen dhe të marri si në kohë e prindërve tanë çante, trajsën, rrjetën. Dhe unë besoj se me nisma të tilla ne kemi arritur që në Tiranë të reduktojmë qeset 60 për qind. U pa dhe në rastin e përmbytjeve, një nga arsyet që pse Tirana nuk pati asnjë problem është se ka rënë ndjeshëm numri i qeseve, çka do të thotë dhe numri i qeseve që hidhen dhe përfundojnë në kanale. Kështu që duhet të mendojmë edhe disa zgjidhje afatgjata që ti japim dum këtij problemi”, deklaroi ai.

“Në kuadër të aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” ne duhet të kuptojmë që nuk mjafton vetëm operacioni i një dite, por duhet të kuptojmë shkaqet pse na krijohen këto papastërti dhe të kuptojmë shkaqet se si landfillet nëpër gjithë zonën janë të pa mbuluar të patrajtuar dhe mjafton një reshje shiu dhe ato dalin të gjitha në pah”, tha ministri i Mjedisit Blendi Klosi.

“Ky është momenti më i mirë për të kuptuar që në fakt ura, rruga , fusha, por edhe kalaja, edhe muzeu dhe gjithçka tjetër, nuk është vetëm e institucionit përgjegjës. Kalaja e Skënderbeut, apo Kalaja e Krujës, nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës. Edhe rruga nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës e kështu me radhë. Sot përveçse një aksion I madh për të bërë një punë shumë të rëndësishme, në fakt që po të ishte bërë çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit”, deklaroi ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Ndërkohë të shtunën, me moton “Ta pastrojmë qytetin që Viti i Ri të na gjejë pastër”, aksioni do të përqendrohet në të gjitha njësitë administrative, për të realizuar një pastrim të përgjithshëm të territorit të Tiranës. Për këtë qëllim Bashkia e Tiranës ka ftuar që të bëhen pjesë e këtij aksioni edhe të gjithë qytetarët e Tiranës, që duan të kontribuojnë për një ambient të pastër.

 

Top Channel