“Jo qëndrim shtetëror i Shqipërisë”. Presidenti Meta: Vota kundër, e panevojshme

22/12/2017 19:44

Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se vota e Shqipërisë në OKB nuk është një vendim shtetëror. Sipas Presidentit, kreu i shtetit nuk ishte konsultuar për këtë votë në OKB:

“Ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar. Nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara”.

Në Kosovë opinion publik ka qenë mjaft i prerë dhe vota e Shqipërisë është perceptuar si një veprim anti-amerikan i Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, që citohet nga gazeta “Express”, tha se Prishtina do te ishte rreshtuar ne krah të Uashingtonit në çdo rrethanë.

“Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës, pa marrë parasysh si kanë votuar të tjerët”, tha Thaçi.

Opozita shqiptare ka reaguar në unison. Sipas Lulzim Bashës, Shqipëria nuk kishte kushtëzim nga Bashkimi Europian për të votuar:

“Duke votuar kundër SHBA, qeveria ka vepruar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve. Për sa kohë që Bashkimi Europian nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme dhe, në dijeninë time, ne kemi vende të Bashkimit Europian, të cilat kanë votuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishte asnjë arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrim dhe të mos vazhdonte bazimin e politikës së saj të jashtme, në lidhje me çështjet e saj kryesore të Lindjes së Mesme, tek qëndrimi i amerikan”, u shpreh Basha.

Në emër të LSI-së qëndrimi u mbajt nga ish-ministrja e integrimit, Klajda Gjosha.

“Shqipëria dhe shqiptarët në fakt nuk kanë votuar kundër SHBA-së, është vetëm qeveria ajo që mbart sot këtë votë të rëndë mbi supe, dhe këtu është ndarë njëherë e përgjithmonë qëndrimi qytetar me qeverinë. Vota e qeverisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënuar në mënyrë të paprecedentë edhe një votë kundër Kosovës”, tha Klajda Gjosha, deputete e LSI.

Ministri Ditmir Bushati shpjegoi në një koment në “Facebook” votën e Shqipërisë, duke deklaruar se vota nuk ishte kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite”.

Ministri Bushati thotë se është fakt që rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit që nga viti 1968. Dhe se ky qëndrim i Shqipërisë është i konsoliduar në vite.

Në fakt në vitin 2015, Shqipëria e drejtuar nga koalicioni PS-LSI me kryeministër Edi Ramën ka votuar pro ngritjes së flamurit palestinez në OKB. Kurse në vitin 2012 Shqipëria e qeverisur nga demokratët në aleancë me LSI, abstenoi në OKB, në lidhje me projekt-rezolutën për pranimin e Palenstinës si vëzhgues në OKB. Kryeministri Berisha në atë kohë theksoi se kjo është një ndër çështjet më komplekse dhe më të vështirat dhe nuk mund të zgjidhet në anashkalim të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel