Lulzim Basha kryetar i Partisë Demokratike deklaroi se Qeveria veproi gabim me votën në OKB, duke theksuar rreshtimin proamerikan të shqiptarëve në 27 vite.

Ai tha se vota e Shqipërisë në OKB për rezolutën kundër SHBA ishte e pakushtëzuar nga Bashkimi Europian.

“Duke votuar kundër SHBA, qeveria ka vepruar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve. Interesi i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar, deri më sot, janë shërbyer në avancimin e tyre nga një aleat strategjik dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për sa kohë që Bashkimi Europian nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme dhe, në dijeninë time, ne kemi vende të Bashkimit Europian, të cilat kanë votuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishte asnjë arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrim dhe të mos vazhdonte bazimin e politikës së saj të jashtme, në lidhje me çështjet e saj kryesore të Lindjes së Mesme, tek qëndrimi i amerikan”, thotë Basha.

LSI po ashtu reagoi përmes ish-ministres së Integrimit Klajda Gjosha, sipas së cilës asnjë marrëdhënie nuk mund të krahasohet me atë Shqipërisë me SHBA.

“Shqipëria dhe shqiptarët në fakt nuk kanë votuar kundër SHBA-së, është vetëm qeveria ajo që mbart sot këtë votë të rëndë mbi supe, dhe këtu është ndarë njëherë e përgjithmonë qëndrimi qytetar me qeverinë. Vota e qeverisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënuar në mënyrë të paprecedentë edhe një votë kundër Kosovës”, deklaroi Klajda Gjosha.

Pas reagimeve të ashpra në vend ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati shpjegoi përsëri votën, duke deklaruar nuk ishte kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”, deklaron Bushati.

Reagimet kundër Bushati i lexon si përpjekje për “minimin e gurit themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi”.

Ai thotë se është fakt që rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit nga 1968 deri në 2016.

“Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013, e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”, thotë Bushati.

Por në 2012 Shqipëria ka abstenuar në OKB, në lidhje me projekt-rezolutën për Palestinën. Kryeministri Berisha në ate kohë ka theksuar se kjo është një ndër çështje ndër më komplekset dhe më të vështirat dhe nuk mund të zgjidhet nëpërmjet përpjekjeve për të anashkaluar SHBA-në dhe si Palestina dhe Izraeli janë vende mike të Shqipërisë.

“Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e dy shteteve të pavarura”, deklaronte Berisha në dhjetor të 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA