Zjarri i rënë në një qendër sportive në Korenë e Jugut u ka marrë jetën të paktën 29 personave e ka plagosur shumë të tjerë.
Sipas raportimeve, zjarri ka nisur në katin e parë të një ndërtese 8-katëshe, në qytetin jugor të Jecheonit.
Pamjet e publikuara nga vendngjarja treguan re të dendura tymi, teksa zjarri, i cili tashmë është vënë thuajse tërësisht nën kontroll, shkrumboi të gjithë ndërtesën.
Shumica e viktimave të këtij incidenti kanë qenë të bllokuar në saunën e katit të dytë. Zyrtarët thonë megjithatë se numri i viktimave mund të rritet, pasi zjarrfikësit po vijojnë ende kërkimet për ndonjë të mbijetuar.
“Zjarri prodhoi shumë shpejt një tym asfiksues, i cili ka shumë njerëz në pamundësi për t’u evakuuar”, tha zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Zjarrfikësve.
Rreth 20 persona u shpëtuan përmes tarracës, pasi u ngjitën atje në sekondat e para të pikasjes së zjarrit. Disa prej të mbijetuarve janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore për asfiksi nga tymi.
Rreth 60 zjarrfikës shkuan menjëherë në vendngjarje, në qytetin që ndodhet rreth 168 km në juglindje të Seulit.
Megjithatë, tymi ende i pranishëm vazhdon të sjellë vështirësi në operacionet e kërkim-shpëtimit, thonë autoritetet. Në ndërtesë kishte një qendër fitnesi, restorante dhe një sauna publike.
Top Channel