Katalonja u drejtohet kutive të votimit këtë të enjte, në ato që konsiderohen si zgjedhje rajonale tejet të mbikëqyrura, të thirrura nga qeveria qendrore e Madridit pas referendumit kontrovers për pavarësi të rajonit verilindor.
Zgjedhjet e parakohshme përplasin partitë që duan Katalonjën të bëhet republikë e pavarur, me ato që duan të mbeten si pjesë gjysmëautonome e Spanjës. Të gjitha të dhënat tregojnë se rezultati pritet të jetë shumë i ngushtë.
Megjithatë, ka shumë pak gjasa që këto zgjedhje të zgjidhin përfundimisht krizën politike të rajonit. E përditshmja spanjolle “El Pais” shkruante në faqen e parë të saj të së mërkurës, se një milion votuesit e pavendosur do të jenë vendimtar në këto zgjedhje.
Të enjten, qendrat e votimit u hapën në orën 9 me atë lokale dhe do të mbyllen në orën 20 të mbrëmjes, ndërsa rezultatet e para zyrtare priten shumë pak pas mbylljes së procesit të votimit.
Por kush pritet të fitojë? Thuajse shumica e sondazheve të publikuara në fillim të kësaj jave nga “El Pais” tregojnë se E Majta Republikane e Katalonjës (ERC) do të dalë forcë e parë, me një diferencë të ngushtë ndaj “Ciudadanos” (Cs), me këtë të fundit që kërkon unitetin me Spanjën.
Partia pro pavarësisë “JxCat”, partia e presidentit të rrëzuar katalanas Carles Puigdemont pritet të dalë forcë e tretë. Kjo do të nënkuptonte se nuk do të kishte asnjë shumicë parlamentare në favor të pavarësisë, e me shumë mundësi, edhe negociata të stërzgjatura për formimin e qeverisë.
Sipas korrespondentit të BBC-së në Barcelonë, perspektiva është që dy palët në debatin për pavarësinë do të përfundojnë sërish me një përqindje të përafërt votash, e zgjedhjet do të sjellin sërish problemin e Katalonjës, në vend që ta zgjidhnin atë.
Separatistët që dominonin në Parlamentin katalanas deklaruan pavarësinë më 27 tetor, pas referendumit kontrovers në fillim të atij muaji, që u përshkrua si i paligjshëm nga Madridi.
Top Channel