Shqipëria gjendet sot përpara një sprove të vështirë në OKB. Asambleja e Përgjithshme e organizmit global mblidhet gjatë ditës për një seancë të jashtëzakonshme, ku do të hidhet në votë rezoluta kritike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe njohjes që presidenti Donald Trump i bëri Jeruzalemit, si kryeqytet i Izraelit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikky Haley paralajmëroi më herët se emrat e shteteve që votojnë kundër kësaj lëvizjeje amerikane do të mbahen shënim.

Më pas, vet shefi i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohej se kombeve në fjalë do t’iu ndërpritet asistenca financiare. Shqipëria është pikërisht njëri prej vendeve që e përfiton këtë lloj mbështetjeje nga Amerika.

“Le të votojnë kundër nesh po deshën, nuk na bëhet vonë. Do të kursejmë më shumë, sepse nuk do të ndodhe më si përpara, që të votohet kundër nesh, e ne prapë të japim miliona e miliona dollarë. Nuk do të përfitojnë më prej Amerikës, kjo është e sigurtë”, deklaroi Trump.

Kërcënimi u drejtohej kryesisht vendeve anëtare të OKB-së nga Afrika, Azia e Amerika Latine, të cilat shihen si më të cënueshme nga presioni amerikan.

Egjipti, nismëtari i votimit për këtë çështje, është vendi i katërt që përfiton ndihmën më të madhe ushtarake nga SHBA-të, ndërsa i pari renditet Iraku, i dyti Izraeli dhe i treti Afganistani.

Vetëm 10 seanca të tilla emergjence janë mbajtur që prej vitit 1950, dhe hera e fundit kur u zhvillua një mbledhje e tillë ishte në vitin 2009, me në fokus diskutimet mbi territoret e pushtuara palestineze dhe Jeruzalemin Lindor.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA