Kosovarët po braktisin me shpejtësi Shqipërinë si destinacionin e tyre të preferuar turistik, duke zgjedhur vende të tjera për të kaluar pushimet.
Instituti i Statistikave raportoi se për 11-mujorin e këtij viti, në Shqipëri pati 400 mijë hyrje më pak nga Kosova krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT, nëse për periudhën janar-nëntor hyrjet nga shtetasit kosovarë ishin 2 milionë e 92 mijë, për 11-mujorin e këtij viti ato ranë në 1 milionë 692 mijë.
Ndonëse në total numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 7.8%, baza e turistëve ka pësuar ndryshime të mëdha. Sipas INSTAT, turistët kosovarë janë zëvendësuar me ata nga Europa Qendrore, veçanërisht Polonia.
Numri i turistëve polakë që vizituan Shqipërinë në janar-nëntor të këtij viti u rrit me 76% krahasuar me vjet duke arritur në mbi 115 mijë vetë. Rritje të lartë ka shënuar edhe numri i turistëve gjermanë me 46% dhe atyre italianë me 41%.
Turizmi është shndërruar në një nga degët më dinamike të ekonomisë, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 9 muajt e parë të vitit, Shqipëria përfitoi mbi 1.3 miliardë euro të ardhura nga turizmi. Kjo shifër është e barabartë me rreth 12% të prodhimit kombëtar, duke qenë kështu një nga burimet kryesore të valutës për ekonominë.
Top Channel