Një traget me 251 persona në bord është mbytur në ujërat e stuhishëm të brigjeve lindore të Filipineve, sipas asaj që deklaron Roja Bregdetare.
Një zëdhënës tha se një numër viktimash është raportuar, por ende nuk bëhet i ditur zyrtarisht. Një valë e madhe dallgësh të larta thuhet se kanë shkaktuar përmbysjen e mjetit lundrues.
Raportimet e para thonë se disa varka lokale kanë shpëtuar disa pasagjerë nga bordi i anijes së përmbysur në ishullin Polillo.
Varka shpëtimi dhe helikopterë janë dërguar menjëherë në vendngjarje, por janë përballur me kushtet tejet të rënda të motit, thonë zyrtarët.
Një zyrtar lokal i emergjencave civile, Juanito Diaz tha se raportet fillestare tregojnë se trageti, emri i kompanisë së të cilit nuk bëhet i ditur, “kishte një vrimë të madhe që shkaktoi përmbytjen e tij”.
“Ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar nëpër ujëra për pasagjerë të tjerë të mundshëm të gjallë”, citohet të ketë thënë ai nga “Philippines Inquirer”.
Roja Bregdetare tha se trageti kishte kapacitet për 280 persona, e rrjedhimisht nuk ishte e ngarkuar. Aksidentet më mjetet lundruese janë thuajse të zakonshme në Filipine, zakonisht për shkak të stuhive në det të hapur.
Një stuhi tropikale “Tembin” parashikohet të prekë tokën në orët e para të së premtes, e njerëzit që kthehen në shtëpi për Krishtlindje janë paralajmëruar ta bëjnë këtë më herët sesa zakonisht.
Top Channel