Lu i lë detyrat Markut: Hetim korrupsionit në nivel të lartë, përfshi Saimir Tahirin

21/12/2017 10:25

Tre ditë pasi detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme e mori zonja Arta Marku, ambasadori amerikan Donald Lu kapërceu i qeshur pragun e Prokurorisë së Përgjithshme.

Diplomati amerikan nuk ishte shfaqur në këtë institucion që prej shkurtit 2017, atëherë kur plasi “lufta” e deklarateve ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Siç duket, Donald Lu hyri në orën 10 të mëngjesit jo vetëm për të uruar Arta Markun për detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, por edhe për të përsëritur mbështetjen ndaj saj.

I shoqëruar edhe nga Xhon Smaibert, shefi i misionit OPDAT dhe po ashtu ndër njerëzit më aktivë për reformën në drejtësi, Donald Lu qëndroi në këtë takim me Arta Markun për 30 minuta.

Gjatë këtij takimi, burime të sigurta të Top Channel konfirmojnë se ambasadori amerikan e inkurajoi Kryeprokuroren e Përgjithshme që të nxisë prokurorët të shënjestrojnë korrupsionin e nivelit të lartë dhe kriminelët, përfshirë politikanët e lidhur me krimin, përfshirë Saimir Tahirin.

Të njëjtat burime thanë se Donald Lu shprehu dëshirën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Marku të ushtrojë përgjegjësitë e saj kushteuese në mënyrë të pavarur dhe jopartiake.

Top Channel