Viti 2018 do të shënojë dhe zgjidhjen e problemit të mungesës së infrastrukturës arsimore në zona të ndryshme të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan ambicioz i cili synon ndërtimin e 20 shkollave të reja, në tre prej të cilave po punohet me intensitet të lartë.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se për vitin 2018 do të nisë ndërtimi edhe i 17 shkollave të reja.

“Në Bashkinë Tiranës gjenden gjithsej 191 shkolla publike. 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Për t’u dhënë një zgjidhje përfundimtare këtyre tre problemeve, duhet të ndërtohen 17 shkolla të reja, nga të cilat 10 shkolla të ciklit 9-vjeçar, të cilat do të përfshijnë edhe ambiente për kopshte brenda tyre, dhe 7 shkolla të ciklit të mesëm të lartë”, tha Veliaj.

Shkollat e reja do të ndërtohen në këto zona.

Në NJA2 do të ndërtohen 3 shkolla të reja, dy 9-vjeçare dhe një e mesme;

Në NJA5 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare;

Në NJA7 do të ndërtohet një shkollë e mesme;

Në NJA8 do ndërtohet një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme;

Në NJA9 do ndërtohet një shkollë 9-vjeçare dhe një e mesme;

Në NJA11 do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme;

Në NJA Dajt do ndërtohet një shkollë e mesme;

Në NJA Farkë do ndërtohet një shkollë 9-vjeçare;

Në NJA Kashar do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.

 

Të gjitha shkollat 9-vjeçare do të kenë edhe kopsht të integruar.

Top Channel