Në një operacion të përbashkët, policia serbe dhe ajo kroate kanë arrestuar 17 persona “që dyshohen për trafikimin e dhjetëra emigrantëve në Bashkimin Europian”, njoftoi këtë të mërkurë Ministria e Brendshme serbe.

Serbia ishte në qendër të krizës së emigrantëve në vitet 2015-2016, kur qindra e mijëra njerëz që u largoheshin luftrave dhe varfërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë udhëtuan përmes Ballkanit, në përpjekje për të arritur Bashkimin Europian.

Ajo trajektore u mbyll efektivisht vitin e shkuar, por një fluks i qëndrueshëm emigrantësh që vinin kryesisht nga Turqia, përmes Bullgarisë fqinje ka vijuar të mbërrijë në Serbi.

Shumë emigrantë lidhen me trafikantë në përpjekje për të hyrë në BE. Ministria e Brendshme serbe tha se grupi, i arrestuar në Beograd dhe në 4 qytete veriore, përbëhej nga 12 serbë dhe një afgan.

Policia në Kroacinë fqinje, ndërkohë, ka arrestuar edhe 4 të dyshuar të tjerë. “Dyshohet se ky grup kriminal kishte mundësuar kalimin e paligjshëm të kufirit dhe tranzitin e një totali prej 82 emigrantësh nga Afganistani, Irani dhe Iraku, nga të cilët kishin marrë 1.500 euro për person”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ka rreth 4.500 emigrantë të bllokuar në kampe të menaxhuara nga qeveria, në Serbi. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se qindra të tjerë janë shpërndarë në kryeqytet, Beograd, e në qytetet përgjatë kufirit kroat.

Top Channel