“Luftë” me padi; PS: Përjashtim 10 deputetëve. PD: Padi Gramoz Ruçit

20/12/2017 15:25

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë nga të gjithë aktivitetet e Kuvendit të deputetëve të opozitës që ishin në protestë ditën e votimit në kryeprokurores.

Kërkesa u bë për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, deputetët e LSI, Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj dhe deputetët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Endri Hasa, Flamur Noka dhe Bardh Spahia.

Buroja e Kuvedit do e marrë në shqyrtim kërkesën, ndërsa më herët policia nisi një procedim penal për të njëjtët deputetë.

Por e menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Partisë Demokratike, e cila ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal ndaj Gramoz Ruçit për “shpërdorim detyre” dhe pengim të ushtrimit të detyrës.

Demokratët e akuzojnë Ruçin se ka penguar deputetët e Partisë Demokratike të marrin fjalën duke përdorur forcat e Gardës. Kreu i Kuvendit komentoi ngjarjet e datës 18 dhjetor, si të paprecedenta në këto 27 vite.

“Asnjë opozitë e deritanishme nuk ka tentuar që anëtarët, apo tubuesit e tyre t’i kundërviheshin me forcë policisë për të uzurpuar Parlamentin. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që parlamentarët në seancën e Parlamentit të përdorin dhunë drejt kabinetetit qeveritar, apo drejtuesit të seancës”, deklaroi kreu i Kuvendit.

Por, deklaratës së Ruçit i është përgjigjur menjëherë nënkryetari demokrat i Parlamentit, Edi Paloka, i cili ka nënvizuar se si “asnjëherë më parë në këto 27 vite, kriminelët, vrasës, trafikantë droge dhe prostitutash u ngritën në piedestal si anëtarë të Parlamentit”.
Ndërkohë, i ndodhur në Tiranë në një vizitë zyrtare, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka komentuar ngjarjet ne Parlament duke ju referua dhe protestave të ndodhura në Shkup më 27 prill.

“E drejta për protestë është e drejtë e patjetërsueshme e çdokujt, por edhe si deputet, edhe si kryetar Parlamenti nuk pajtohem me dhunën ndaj institucionit më të lartë ligjvënës dhe ndaj çdo institucioni tjetër, për faktin që nuk ndaj mendimin që mjetet e dhunshme janë instrumenti i duhur i luftës politike në demokraci të mirëfillta”, deklaroi ai.

Top Channel