Lëvizja e lirë, Avramopulos: Mbështesim përpjekjet për shmangien e abuzimeve

20/12/2017 13:41

Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme, Dimitri Avramopulos shprehu vendosmërinë e Brukselit për të ruajtur regjimin e udhëtimit pa viza për Ballkanin Perëndimor, por kërkoi gjithashtu vazhdimin e përpjekjeve nga vendet në fjalë për të shmangur abuzimet me lëvizjen e lirë.

“Unë përshëndes përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për forcimin e masave për trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare më të prekura deri tani”, deklaroi ai.

Komisioneri thotë se duhet të vazhdojnë fushatat e ndërgjegjësimit dhe goditja e grupeve të trafikut.

“Tani përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza dhe përmirësimi i kontrollit të kufijve, si dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar”, vijoi ai.

Top Channel