Parlamenti grek ka miratuar pak pas mesnate dhe me shumicë votash, 153 nga 297 deputetë të pranishëm në sallë, projektbuxhetin e vitit 2018, për të cilin kryeministri grek ka theksuar se do të jetë i fundit që paraqitet në kuadrin e programit të përshtatjes makroekonomike dhe shënon hyrjen e vendit në një periudhë të re të stabilitetit ekonomik.
“Për herë të parë nga fillimi i krizës, e dimë me siguri se buxheti i vitit 2018 do të jetë buxheti i fundit i paketave të shpëtimit që po votojmë. Ashtu si vota e popullit rrëzoi qeverinë ‘Samaras’ se nuk duronte dot të shihte sistemin që vidhte njerëzit, përsëri do të humbni në zgjedhjet e vitit 2019”, u është drejtuar Alexis Tsipras konsevatorëve të “Demokracisë së Re”.
Por më shumë se për buxhetin, krerët e partive politike të opozitës kanë debatuar duke kritikuar qeverinë, për taksat e shumta që ajo ka vendosur mbi qytetarët.
“Keni dështuar të dyja herët që keni fituar zgjedhjet. Herën e parë na kushtuat 100 miliardë euro. Koston e zgjedhjeve të dyta do ta paguajmë ende për shumë kohë. Por populli nuk do t’u japë një mundësi të tretë”, ka deklaruar kreu i konservatorëve, Kyriakos Mitsotakis.
Buxheti parashikon ndër të tjera një suficit primar prej 3.8% të PBB-së, rritje të ekonomisë me 2.5%, si dhe të ardhura nga privatizimet 2.7 miliardë euro.
Por, sipas opozitës, ai përmban reduktime të reja të pensioneve, masa të reja kursimi, si dhe shitjen e me çmim të lirë të disa termocentraleve me qymyr.
Top Channel