Festat e fundvitit, studentët dhurojnë lodra për fëmijët në nevojë

20/12/2017 11:52

Dhjetëra studentë kanë dhuruar lodra për fëmijët në nevojë, duke iu bashkuar nismës së bashkisë së Tiranës.

“Falenderoj shumë miqtë nga Qyteti Studenti që na u bashkuan sot. Një shembull fantastik që, ashtu siç rrjetet sociale dhe smartphone-t kanë hyrë në modë, ashtu edhe solidariteti, të gjendurit pranë atyre që kanë nevojë, është po aq e rëndësishme për qytetin tonë. Ndaj, do doja t’iu falenderoj me gjithë zemër për këtë kontribut, edhe t’iu uroj shumë sukses, gëzuar festat gjithë studentëve!”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se projekti i Bashkisë së Tiranës për të larguar fëmijët nga rruga ka qenë i suksesshëm dhe sot ata ndihen të integruar, ndërsa marrin edhe edukimin e nevojshëm për të qenë nesër qytetarë të barabartë. “Kur filluam këtë projekt përpara një viti, shumë prej fëmijëve jo vetëm që ishin të dhunuar dhe abuzuar në situatë rruge, por përkundrazi ishin kthyer në ‘bankomat’ për ata që i shfrytëzonin. Shikoni diferencën sot, si dita me natën, kanë mësuar vjersha, këngë, kanë mësuar të thonë të lutem, faleminderit, janë ushqyer dhe janë veshmbathur nga Bashkia e Tiranës. Ky është modeli që duam të promovojmë dhe do t’i lusja të gjithëve, atyre që realisht duan të bëjnë diçka dhe jo vetëm të postojnë foto e të japin mend, kjo është mënyra e duhur se si mund të ndihmojmë qytetarët në nevojë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, që në këto ditë festash të tregohen solidarë dhe të jenë pranë njerëzve të pamundur apo në nevojë, duke dhuruar diçka apo edhe duke shërbyer për ta.

 

Top Channel