“Bankers” nuk dëmshpërblen, refuzon të paguajë 900 mijë USD për Zharrëzën

20/12/2017 19:32

Banorët e Zharrëzës vazhdojnë të sorollaten pa marrë dëmshpërblimin e plotë për shtëpitë e shkatërruara nga lëkundjet e tokës në këtë zonë.

Kompania “Bankers Petrolium” ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë që e detyron atë të paguajë 900 mijë dollarë për dëmshpërblimin e banesave të shkatërruara gjatë operacioneve të nxjerrjes së naftës në zonën Patos-Marinzë.

Banorët e fshatit Zharrëz kanë jetuar prej vitit 2008 në kalvarin e pasigurisë për shkak të lëkundjeve thuajse të përnatshme të tokës, që u kanë dëmtuar shtëpitë.

Banorët kanë akuzuar kompaninë e naftës “Bankers Petroleum” dhe praktikën e ndjekur prej saj të injektimit në tokë të ujit teknologjik, si shkaktar të tërmeteve dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre. Por “Bankers” nuk e ka pranuar asnjëherë se shkaku i tërmeteve janë operacionet e saj.

Kulmi i protestës ishte në shkurt të një viti, kur greva e fundit e urisë së banorëve zgjati rreth dy javë. Më pas, në fund të shkurtit, në kulmin e krizës politike në vend dhe kur vetë opozita ishte ngujuar në çadër në bulevard, banorët e Zharrëzës ndërmorën një marshim të heshtur në këmbë deri në Tiranë, ku u ngujuan përpara Ministrisë së Energjetikës, duke sensibilizuar opinionin publik.

Një protestë që ata nuk deshën kurrë të politizohej. Kjo formë e veçantë proteste u mbyll vetëm pasi qeveria, e gjendur në mes të presionit publik, premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e banorëve. Vendimi i datës 1 mars përmbante afate të qarta për përmbushjen e tij. Debati u zhvendos në Parlament, ku Ben Blushi akuzoi qeverinë se mbrojti kompaninë.

Pas verifikimit të dëmeve në terren, muajin e kaluar qeveria miratoi vendimin përfundimtar për dëmshpërblimin e banorëve.

Sipas këtij vendimi, fondi për dëmshpërblimin e familjeve u caktua 1.5 milionë dollarë, nga të cilat 900 mijë dollarë iu ngarkuan “Bankers”-it ndërsa 600 mijë te tjera u morën përsipër nga buxheti i shtetit. Vetë qeveria i ka kaluar fondet e saj me vendim në buxhetin e bashkisë së patosit, e cila duhet të bënte edhe dëmshpërblimin për pjesën e shtetit.

Por sot “Bankers” refuzon të paguajë pjesën e vet. Përmes një përgjigje zyrtare “Bankers” thotë se ka rënë dakord me Ministrinë e Energjisë për pajtimin e një eksperti të pavarur, i cili do të përcaktojë shkaqet e tërmeteve në zonën e Zharrëzës.

Sipas kompanisë, eksperti, i cili është pajtuar nga vetë qeveria, ende nuk e ka nxjerrë raportin, ndaj për sa kohë nuk ka një raport të pavarur mbi shkaqet e tërmeteve, kompania nuk do të marrë përsipër asnjë dëmshpërblim. Ndërkohë që në fshat, rreth 60 banesa janë vlerësuar të pabanueshme.

Top Channel