Robert Kubica nuk heq dorë nga plani i tij i rikthimit në F1 me skuderinë Williams.
Edhe pse dukej i pashmangshëm njoftimi i pilotit rus, Sergei Sirotkin, si koleg i Lance Stroll për Botërorin e vitit 2018 në radhët e skuderisë nga Grove, vetëm pak ditë më parë ishte vet Williamsi që bëri të ditur se emri i zëvendësuesit të Felipe Massës nuk do të shpallej zyrtarisht përpara janarit të 2018-s.
Por çfarë ka ndodhur këto ditë? Sipas televizionit finlandez “MTV”, pas moszyrtarizimit të Sirotkin fshihet pikërisht dëshira e paepur për rikthim e polakut Kubica, i cili ëndërron të garojë sërish pas atij dëmtimi të tmerrshëm të vitit 2011.
Nico Rosberg, kampioni i tërhequr i Formulës 1 dhe aktualisht menaxher i pilotit polak, duket se i ka propozuar skuderisë Williams një ofertë: lejimi i Robertit për të garuar në 7 garat e para të Botërorit 2018, pra Çmimet e Mëdha të Australisë, Bahreinit, Kinës, Azerbajxhanit, Spanjës, Monakos dhe Kanadasë, përkundrejt shumës prej një milionë dollarësh për garë.
Në qoftë se rendimenti i polakut nuk do t’i bindë drejtuesit e Williamsit, atëherë skuderia britanike mund të zyrtarizonte si pilot koleg të Strollit, rusin Sirotkin për pjesën tjetër të Botërorit të vitit të ardhshëm, në të kundërt do të vazhdonte polaku edhe më tej.
Përpara kësaj oferte, Williams duket se ka marrë kohën e nevojshme për t’u menduar.
Top Channel