Ashtu siç pritej, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur veton përballë një draftrezolute të paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që refuzonte vendimin e presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Drafti ishte hartuar dhe nxitur nga Egjipti, e bënte thirrje se çdo vendim mbi statusin e Jeruzalemit nuk kishte “asnjë efekt ligjor, është i pavlefshëm dhe duhet të anulohet”. 14 anëtarët e tjerë të Këshillit të përbërë nga 15 vende, nga të cilat 5 të përhershme, votuan në favor të mocionit të paraqitur.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, Nikki Haley e përshkroi draftin si “ofendues” dhe paralajmëroi se një gjë e tillë nuk do të harrohej.
“Ky është një shembull më shumë se Kombet e Bashkuara po bëjnë më shumë dëm sesa mirë, sa i përket adresimit të konfliktit izraelito-palestinez. Sot, vetëm për faktin e thjesht se vendosëm ku do ta zhvendosim ambasadën tonë, Shtetet e Bashkuara janë detyruar të mbrojnë sovranitetin e tyre. Historia do të tregojë se e kemi bërë këtë me krenari”, tha Haley.
Ndërkohë, zv.presidenti amerikan Mike Pence shtyu një vizitë të diskutueshme në Lindjen e Mesme, që pritej të fillonte të martën, të paktën deri nga mesi i janarit. Pence ndoshta mund të jetë i nevojshëm për të thyer barazpeshën mes atyre pro dhe atyre kundër në Senatin amerikan, në votimin vendimtar për reformën e taksave.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka refuzuar të takohet me zv.presidentin amerikan, pas vendimit për njohjen e Jeruzalemit.
Top Channel