Policia arrestoi 6 shtetas, të cilët akuzohen për veprime të dhunshme në protestën e opozitës, që u zhvillua paraditen e së hënës në hyrjen e Kuvendit.
Po ashtu, 10 deputetë të opozitës janë proceduar në gjendje të lirë, për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë. 6 nga deputetët e kallëzuar i përkasin Partisë Demokratike dhe 4 Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Edhe 2 protestues janë proceduar në gjendje të lirë për të njëjtat akuza, ndërsa sipas policisë nga përplasja fizke kanë mbetur të lënduar 6 efektivë, mes tyre edhe femra.
Edhe Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, që nuk është deputet është proceduar edhe ai në gjendje të lirë për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Policia në njoftim e saj lë të kuptohet se vendimet për nisjen e procedimeve janë marrë në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa për të arrestuarit thekson se mënyrë aktive ata kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhje të sendeve të forta, apo materialeve piroteknike dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës.
Top Channel