Këshilltari i Trumpit: Ndërhyrja ruse, kërcënim për sigurinë kombëtare

19/12/2017 10:56

Këshilltari i Donald Trump për Sigurinë Kombëtare ka akuzuar Rusinë për një “fushatë të sofistikuar subversive” për të minuar shoqëritë e lira dhe të hapura.

Gjenerali HR McMaster tha se Moska ka përdorur propagandën dhe dezinformimin kundër demokracive perëndimore. Ai shtoi se ndërhyrja e Moskës në zgjedhjet amerikane ishte “qartësisht” një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ai foli pas shpalljes së politikës së re të sigurisë kombëtare nga presidenti Trump, që i përcakton Rusinë dhe Kinën si “fuqi rivale”.

“Mjafton të shohim se çfarë po bën aktualisht Rusia. Sigurisht që ne duhet t’i kundërpërgjigjemi sjelljes destabilizuese të Rusisë, si dhe fushatave të sofistikuara të propagandës dhe dezinformimit”, tha McMaster.

Ato kanë qenë “përpjekje për të polarizuar komunitetet dhe për t’i hedhur ata kundër njëri-tjetrit, veçanërisht në botën demokratike dhe në shoqëritë e lira dhe të hapura”, shtoi ai, duke argumentuar se qëllimi ka qenë për “të dobësuar vullnetin popullor dhe vendosmërinë e tyre”.

“Besoj se Rusia është angazhuar në një fushatë tepër të sofistikuar subversioni për të ndikuar besimin tonë tek institucionet demokratike, te proceset demokratike, përfshi zgjedhjet”, deklaroi më tej ai, duke theksuar se fushata ruse shënjestron të dyja palët rivale politike.

“Ata mbështesin grupet ekstremiste të majta, sikurse edhe ato ekstremiste të djathta. Ajo që ata duan është të krijojnë një lloj tensioni, apo kritika mizore, që do të minonin besimin tonë në atë që jemi. Një nga gjërat më të rëndësishme është t’i heqim perden këtij aktiviteti dhe ta ekspozojmë atë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA