Darka e Brukselit, Mogherini me kryeministrat: Reformat, më shpejt

19/12/2017 09:05

Takimin informal me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini e kanalizoi te diskutimet mbi situatën aktuale dhe çuarjen përpara të integrimit europian të rajonit në vitin 2018.

Gjashtë kryeministrat nënvizuan përkushtimin e tyre të plotë, nga sa pohohet në njoftimin e bërë prej zyrës së saj, për vazhdimin e punës në këtë drejtim.

“Viti 2018 – thotë kryediplomatja europiane, por edhe zëra të tjerë të rëndësishëm në drejtimin e bllokut, – do të jetë një vit kyç për rajonin, sepse do të ofrojë lëvizje të pakthyeshme drejt integrimit, me kushtin që përparësia më e madhe t’u jepet reformave të nevojshme, në veçanti në sundimin e ligjit, drejtësisë dhe të të drejtave themelore”.

Me ritmin e ripërtërirë të politikës së zgjerimit të BE-së dhe mundësinë për të bërë përparim të rëndësishëm anekënd rajonit, Mogherini nënvizoi nevojën që të gjithë partnerët rajonalë të përshpejtojnë reformat thelbësore për qytetarët e tyre dhe të hedhin hapa konkretë drejt BE-së.

Përpara darkës së përbashkët, kryediplomatja europiane takoi fillimisht veç e veç kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Pas takimit me të, Rama u tregua i kujdesshëm në komente, kur u pyet nga gazetarët nëse ndan bindjen se vitin e ardhshëm Shqipëria do të marrë rekomandimet e Komisionit dhe “dritën jeshile” të negociatave të anëtarësimit.

Edhe pse jozyrtar, takimi pati për qëllim “mbështetjen e qartë për ardhmërinë europiane të Ballkanit Perëndimor”, por edhe për të kërkuar nga ana tjetër përkushtimin e plotë të qeverive në përmbushjen e kritereve të integrimit.

Strategjinë e tij për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Europian pritet ta paraqesë në muajin shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA