Dalja e trenit nga shinat, hetohet për tejkalim shpejtësie. Tre të vdekur

19/12/2017 10:33

Treni i dalë nga shinat, duke vrarë 3 persona një ditë më parë në Uashington të Shteteve të Bashkuara, ishte duke udhëtuar me 130 km në orë në një kthesë me limit shpejtësie prej më pak se 50 km në orë. Kjo është verifikuar nga të dhënat e motorit të pasëm të trenit.

Ngjarja ndodhi në shtetin e Uashingtonit gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës, ndërkohë që zyrtarët konfirmuan se ishin 72 persona që u transportuan në spital për ndihmë mjekësore. Një numër i pacaktuar i të plagosurve raportohet të jenë në gjendje serioze për jetën.

Autoritetet thanë se tashmë janë kontrolluar të gjithë vagonët, por gjithsesi nuk mund të përjashtojnë rritjen e mëtejshme të të vdekurve.

Një zëdhënës i Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) tha se hetuesit kishin mbërritur në vendngjarje mbrëmjen e së hënës dhe se mund të qëndrojnë atje për të paktën një javë ose 10 ditë.

Bella Dinh-Zarr tha se treni me 12 vagonë kishte motorë në pjesën e përparme dhe të pasme. Të dhënat e atij në fund janë siguruar dhe “paraprakisht mësohet se treni ishte duke udhëtuar me 130 km në orë në një kthesë ku nuk lejohej të ecej me më shumë se 50 km në orë”.

Pasagjerët kanë thënë se treni lëkundej dhe kërciste në momentin që hyri në kthesë, përpara se të përfundonte jashtë trasesë në një urë mbi një rrugë automjetesh të ngarkuar nga trafiku. Shtatë automjete, dy prej të cilave kamionë, u goditën poshtë urës nga vagonët e trenit që ranë mbi to. Shumë vetë u plagosën nga këto mjete, por për fat të mirë nuk është regjistruar asnjë humbje jete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA