Edhe delegacioni i Bashkimit Europian është bashkuar me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dënimin e dhunës gjatë protestës së një dite më parë jashtë dhe brenda Kuvendit të Shqipërisë.

“BE-ja dënon dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare. Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore. Qytetarët shqiptarë u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi, si dhe të punojnë në partneritet për të ndjekur reformat e rëndësishme, që janë gjithashtu vendimtare për aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.

Një ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënoi po ashtu me forcë dhunën që ndodhi në protestën e së hënës në Tiranë.

“Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi. Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se Reforma në Drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vettingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, thuhej në reagimin e SHBA-ve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA