Gati një muaj më parë, Sarah Idan ishte e veshur me një fustan të zbukuruar nga gurë “Swarowski”, duke përfaqësuar Irakun në konkursin e bukurisë “Miss Universe”. Ajo ishte hera e parë në 45 vite, që vendi i saj merrte pjesë në një kompeticion të tillë.
“Isha në qiellin e shtatë”, rrëfen Sarah, por gjithçka ndryshoi papritur për shkak të një “selfie”.
27-vjeçarja shkrepi një foto me Miss Izraelin, Adar Gandelsman, përpara konkursit dhe i bashkëngjiti mesazhin: Paqe dhe dashuri nga Miss Iraku dhe Miss Izraeli.
Reagimi nuk ishte ai që priste. Fiks 6 ditë përpara shfaqjes, organizatorët e Miss Irakut i kërkuan ta zhdukte foton nga faqja e saj, ose do t’i hiqej titulli i “mbretëreshës së bukurisë”. Të tjerë e kërcënuan me jetë.
Sarah, e cila ka nënshtetësi irakiane dhe amerikane, u telefonoi menjëherë familjarëve në Bagdad për t’iu kërkuar të bëjnë kujdes.
Vajza mori edhe kërcënime “online”, për faktin se kishte dalë me rrobabanjoje në njërin prej raundeve eliminuese. Efektin më të madh, megjithatë, e pati “selfie” me Miss Izraelin.
Idan nuk e hoqi foton, ama një ditë pas postimit u detyrua të shpjegonte se nuk e mbështet qeverinë izraelite, apo politikat e saj në Lindjen e Mesme, e u kërkoi ndjesë të gjithë atyre që menduan se ky ishte një sulm ndaj kauzës palestineze.
Sot 27-vjeçarja vazhdon të marrë kërcënime me vdekje në mediet sociale. Pavarësisht të gjithave, Idan po përpiqet të fokusohet te karriera e saj, por as qeveria irakiane dhe as organizata përgjegjëse e Miss Irakut nuk i ofrojnë mbështetje.
Top Channel