Kryeprokurori mbetet në rend dite. Tensione në Kuvend, seanca ndërpritet sërish

18/12/2017 10:32

Fillimisht Lulzim Basha e më pas Monika Kryemadhi kërkuan heqjen nga rendi i ditës shqyrtimin për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm.

“Sot është një nga ditët më të rënda për demokracinë, më të vështira për qytetarët që duan një vend demokratik ku respektohet ligji dhe Kushtetuta. Sot në dhunim flagrant të kushtetutës, shumica parlamentare kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon. Është një seancë antikushtetuese, sot në mënyrë tinzare po bëheni gati për një grusht shteti”, tha Basha.

“Ke një kërkesë me shkrim institucionale nga tri grupet parlamentare opozitare. Të mos lejojmë dhunimin sot të kushtetutës. Kushtetuta ta ndalon që të bësh aktin që ke futur në rendin e ditës, kapjen e prokurorit të përgjithshëm me votat e një partie politike. Reforma në drejtësi ta thotë se prokurori nuk mund të zgjidhet me më pak se 3/5 e votave.  Tërhiquni nga kërkesa!”, vijoi Basha.

Monika Kryemadhi kërkoi të njëjtën gjë.

Gramoz Ruçi e hodhi në votim kërkesën e opozitës, që u rrëzua nga deputetët e mazhorancës. Zgjedhja e kryeprokurorit mbetet në rend të ditës, por seanca nuk vijoi. Deputetët e PD iu drejtuan në grup foltores, duke u përplasur me Gardën. Seanca u ndërpre për herë të dytë.

Top Channel