Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi masën e sigurisë të arrestit me burg për Nezar Seitin, masë e cila do të mbahet deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Seiti, i njohur ndryshe si financieri i grupit të Habilajve, që u godit në Itali disa javë më parë për trafik ndërkombëtar të narkotikëve, u arrestua në Shqipëri pak ditë pasi mediat publikuan përgjimet e kryera nga Prokuroria e Katanias për grupin e Habilajve.
Top Channel mësoi se autoritet italiane tashmë kanë sjellë dosjen e Seitit në Shqipëri me qëllim ekstradimin e tij. Por, përveç faktit që kërkohet nga autoritete italiane, Prokuroria e Krimeve të Rënda në të njëjtin procedim që regjistroi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ka regjistruar edhe emrin e Nezar Seitit dhe në bazë të këtij procedimi, gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar ndaj Seitit masën e sigurisë arrest me burg.
Pra, edhe nëse Gjykata e Tiranës do të vendosë ekstradimin e Nezar Seitit, ai nuk mund të ekstradohet pasi ka një masë sigurimi nga Krimet e Rënda, të cilat nuk lejojnë këtë gjë. Nga ana tjetër, vetë Seiti ka pohuar në seancat që janë zhvilluar se dëshiron të ekstradohet në Itali.
Por, çfarë e shtyn Seitin në kërkojë esktradimin në Itali, kur nenet për të cilat akuzohet si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali parashikojnë minimum 10 vite burgim? Sipas avokatit të Seitit, klienti i tij beson në një proces hetimi më objektiv nga autoritetet italiane se sa nga ato shqiptare.
Top Channel