Lulzim Basha e quajti puç kushtetues votimin e Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme e vendit nga ana e mazhorancës.

“Sot kemi një Parlament ilegjitim të dalë nga votat dhe paratë e krimit dhe të drogës, kemi një kryeministër ilegjitim, të aferave të krimit, drogës e korrupsionit dhe një kryeprokuror ilegjitim, kukull në duart e krimit dhe drogës, që ka vetëm një detyrë, të shpëtojë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, të shpëtojë Habilajt e Balilajt për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës, kryeministrit më të inkriminuar dhe korruptuar të Europës. Populli shqiptar dhe opozita shqiptare nuk do ta tolerojnë! Ky është fillimi i kryengritjes popullore”, deklaroi Basha.

Duke folur para gazetarëve, kreu i PD-së tha se Partia Demokratike do të jetë në krye të protestave.

“Sot i kemi treguar mbarë vendit se ne nuk jemi e nuk do të bëhemi kurrë fasadë e autokracisë kriminale. Opozita do të vazhdojë këtë rrugë në krye të qytetarëve për protestat”, vijoi Basha.

Sali Berisha nga ana tjetër foli për djegie mandatesh të opozitës.

“Sot në Parlament Edi Rama organizoi një pritë cubash ndaj meje. Kërkova fjalën për procedurë, kryetari i parlamentit më kërkoi që të flisja pas parafolësit dhe kështu u veprua. Përballë kësaj, nuk ka rrugë tjetër përveçse një djegien solemne të mandateve, sepse nuk ka ndodhur kurrë që deputetit t’i organizohet pritë në Parlament”, u shpreh ai.

Top Channel