Me tortë, pica dhe padyshim fëmijët ka vendosur të festojë ditëlindjen e tij të 81-të Papa Françesku.
Papa nga Argjentina njihet për thjeshtësinë e tij dhe zor se do të organizonte diçka për ditëlindjen e tij, po të mos kujtoheshin besimtarët e shumtë.
Nga e gjithë bota erdhën mesazhe urimi për kreun e selisë së shenjtë në ditën e lindjes së tij, të cilën Françesku i shfrytëzoi sërish për mesazhet e tij të radhës. I rrethuar nga fëmijët, Papa Françesku i bëri thirrje botës që të mos trishtojë fëmijët, por ti mundësojë atyre që të rriten me gëzim.
Papa Françesku fitoi famë dhe mjaft popullaritet me zgjedhjen e tij në vitin 2013, pasi paraqiti ndryshimet që ai mendon se duhet të ndodhin brenda kishës katolike.
Papa ka ngritur çështje mjaft problematike me idetë e tij liberale që sigurisht kanë hasur rezistencën e kardinalëve konservatorë, që nga shqyrtimi i buxhetit të Vatikanit e deri tek pranimi i homoseksualëve apo të divorcuarve nga Kisha.
Top Channel