Houston konfirmohet si skuadra më e mirë e dy muajve të fundit në NBA.
Këtë radhë, skuadra e Rockets mundi San Antonion në derbin teksan të Konferencës së Perëndimit me rezultatin 124-109. Në “Toyota Center”, Houston dominoi totalisht ndeshjen ndaj Spurs, duke shënuar fitoren e 12 radhazi. Protagonisti absolut i mbrëmjes për Houston ishte Chris Paul, i cili e mbylli sfidën me 28 pikë, po aq sa edhe Harden, 8 asist dhe 7 topa të rrëmbyer kundërshtarit, statitistika këto që askush tjetër nuk i ka arritur kur bëhet fjalë për sfidat me San Antonion. Për më tepër, Chris Paul ka luajtur në 13 ndeshje në këtë pjesë të parë të sezonit, duke i fituar të gjitha, për të barazuar rekordin e Dennis Rodman me fanelën e Chicago Bulls në sezonin 1995/1996.
Utah Jazz u shfaq madhështore në përballjen me skuadrën më të mirë të Konferencës së Lindjes, Boston Celtics. Jazz fitoi përballjen me skuadrën nga Masaçusets 107-95, falë paraqitjes fantastike të Ricky Rubio, i cili shënoi 22 pikë dhe të riut Donovan Mitchell, debutues në NBA me 17 pikë e 9 asist. Mjaft mirë u paraqitën edhe Rodney Hood e Jonas Jerebko, me 17 pikë secii. Për Bostonin, ku u dallua i zakonshmi Irving me 33 pikë, kjo është humbja e tretë në 5 ndeshjet e fundit.
Top Channel