Tashmë është hapur rruga e re nga rrethrrotullimi i TEG drejt Farkës, dhe ka mbetur përfundimi i segmentit nga Farka deri në Uzinën e Autotraktorëve, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.
Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro kanë inspektuar punimet.
“Jemi këtu për hapjen e segmentit të ri të unazës nga TEG-u deri te Fusha e Helikopterëve në Farkë. Një segment pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës, e cila është një investim në vazhdim. Pjesa tjetër është nga Farka deri në Shkozë, janë dy lote të tjera për të cilat ne po bëjmë disa përmirësime nga projekti aktual për ta sjellë në standardet e duhura. Ju e shikoni që unaza e Tiranës është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe gjithë ajo punë e mirë, jo vetëm do të ndihmojë lehtësimin e trafikut në qytetin e Tiranës por do të jetë një nyje e rëndësishme e qarkullimit për të gjithë Shqipërinë. Dihet se Tirana përmbledh trafikun kryesor në Shqipëri. Shumë shpejt, me projektin që po bën Drejtoria e Rrugëve edhe për një mbikalim siç duhet këtu ter kryqëzimi i TEG-ut, kjo do të lidhet edhe me rrugën e re të Elbasanit. Unaza do të vazhdojë edhe me procesin tjetër që fillon nga shkolla Industriale deri te sheshi “Shqiponja” ku edhe ai segment do të kthehet brenda parametrave të duhur në mënyrë që fluksi i trafikut të mos pengohet”, nënvizoi Gjiknuri.
Duke ju referuar projektit të Unazës së Madhe në tërësi, ministri Gjiknuri sqaroi se unaza kërkon kohën e saj për tu përmbyllur plotësisht. “Unaza do të vazhdojë, do disa vite punë pasi kini parasysh se janë edhe dy lote të tjera që do të përmirësohen e do të vazhdojë puna, sidomos pjesa e sheshit Shqiponja deri tek shkolla industriale. Këtu bëhet fjalë për të gjithë atë projekt që ka thënë qeveria shqiptare për rritjen e standardeve të rrugës, ku edhe unaza e Tiranës është pjesë shumë e rëndësishme e këtij projekti 4 vjeçar”, insistoi Gjiknuri.
Në këtë segment është ndërtuar një tunel me gjatësi 120 metër linear, një mbikalim automobilistik me gjatësi 100metër linear, nënkalime për këmbësorët dhe mjetet bujqësore (3×3) 4copë, box 2x5x4m në rrugën kryesore. Projekti ka rrugët e aksesit të zonave të banuara që shtrihen përgjatë këtij aksi si dhe të bizneseve.
Top Channel