Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, si dhe Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, kanë pasur një takim në kryeqytetin grek, ku kanë diskutuar për rolin kyç të Greqisë në çështjet e zgjerimit të BE-së, e konkretisht për vendet kandidate si Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Për sa i përket Shqipërisë, kreu i diplomacisë greke, pasi i është referuar diskutimeve të fundit në takimin treditor që kishte në Kretë me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, ka njoftuar se ato do të vazhdojnë përsëri rreth datës 20 Janar në qytetin e Korçës.
Ai ka theksuar se ekziston një shpresë dhe një frymë optimiste, se në këtë qytet do të përfundojnë çështjet e hapura midis dy vendeve, pasi të dyja palët kanë interes që ato të mos mbeten të përjetshme dhe një pengesë për fillimin e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
“Ne duam që të zgjidhim problemet që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, ose të konkretizojmë marrëveshjet e së kaluarës me kërkesat aktuale. Mendojmë që i gjithë ky proces të përfundojë në një Traktat të ri të Miqësisë Greqi-Shqipëri, ose në rinovimin e atij të vitit 1996, pasi ekziston përgatitje e lartë dhe dëshirë nga të dyja palët”, ka thënë Kotzias.
“Shpresoj se slogani, që thotë se ‘historia nuk duhet të jetë burgu ynë, por shkolla jonë’, të provohet në praktikë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm grek. “Gjykimi ynë është se duam të zgjidhim problemet dhe më pas të jemi ura të fuqishme në ecurinë europiane të Shqipërisë në BE. Nuk na ndajnë probleme kaq të mprehta, saqë nuk mund t’i zgjidhim”.
Për sa i përket publikimeve që Athina dhe Shkupi kanë rënë dakord për një emër të ri të fqinjit verior të Greqisë, Kotzias ka dënuar edhe njëherë papërgjegjshmërinë në trajtimin e çështjeve të tilla nga medie të caktuara. “Edhe takimi midis dy kryeministrave Zaev dhe Tsipras do të bëhet vetëm nëse do të jetë zgjidhur çështja e emrit”, ka thënë Nikos Kotzias.
Top Channel