Partizani po nxiton të arrijë kohën e humbur dhe çdo ndeshje për “të kuqtë” është një finale e sezonit. Starova e ka në filozofinë e tij këtë moto dhe nuk dëshiron të komentojë pothuaj asgjë tjetër, përveç ndeshjes së radhës.

Ndalesa e radhës është ndaj Luftëtarit, që po bën mirë nën drejtimin e Hasan Likës dhe Starova e di që kjo është një sfidë që duhet marrë seriozisht në konsideratë.

“Hasan Likën e kam mik të vjetër. Ardhja e tij ka ndryshuar Luftëtarin, si me shkop magjik. Ka bërë ndeshje shumë të mira. Në fakt të gjitha ndeshjet i ka bërë të mira, edhe pse nuk ka marrë maksimumin e pikëve. Ne jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Nga java në javë na presin ndeshje të vëshitira për objektivat. Luajmë vetëm për fitore”, u shpreh Starova.

Për këtë ndeshje, Starova konfirmon mungesën e Kalarit, ndërsa nuk lë pa komentuar edhe të munguarit e mëdhenj të sezonit.

“Kalari ka një gjendje shëndetësore jo të mirë. Sukaj ka marrë leje, ndërkohë që Çani është shumë larg Partizanit. Mendoj se nuk ka asnjë mundësi të luajë. Nuk ka gjendjen shëndetësore në rregull. Është një vonesë e pashpjegueshme. Koha e rikuperimit është larg. Partizani nuk i ka shpresat te një futbollist i vetëm. Individi është në funksion të kolektivit. Fakti që nuk është aktivizuar është dështim nga ana e Partizanit. Lojtari ku investuam më shumë nuk rezultoi i tillë”, pohoi Starova.

Trajneri i “të kuqve”, ndërkohë, nuk dëshiron të flasë për merkaton, pasi për të objektivi është të mbyllë me rezultate pozitive dy ndeshjet e fundit.

“Jemi të përqëndruar për ndeshjet e kampionatit, janari është larg. Unë mendoj vetëm për ndeshjen me Luftëtarin. Shpresojmë që nga ndeshja në ndeshje të marrim maksimumin. Secilën ndeshje e shikojmë si finale. Kemi marrë më shumë pikë se të tjerët, por vështirësitë e çdo jave janë të dukshme, nuk ka ndeshje të lehta. Secili kundërshtar ka karakteristikat e veta dhe vështirësitë e veta”, përfundoi Starova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA