Skënderbeu, Daja: Laçin e kemi harruar, vazhdojmë rrugëtimin tonë të qetë

15/12/2017 17:02

Pas humbjes së parë sezonale që pësoi nga Laçi, skuadra e Skënderbeut duket e gatshme për t’u rikthyer te suksesi në Lushnje, ku do të përballet me rivalin e radhës.

“Besoj që e kemi kaluar atë humbje. Megjithatë, edhe po të shikohet zhvillimi i ndeshjes nuk është se kemi qenë keq. Madje kemi pasur edhe mundësi për ta fituar ndeshjen, por pa i mohuar asnjë vlerë kundërshtarit dhe meritat që arriti të fitonte”, deklaroi Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

“Kemi të gatshëm të gjithë kontigjentin e futbollistëve përveç Osmanit e Ditës. Osmani po kalon një gjendje gripale, ndërsa Dita ka ende probleme me dëmtimin që pësoi para dy javësh. Tashmë janë rikthyer Radas, Sowe dhe ndonjë lojtar tjetër që nuk ka qenë në gjendjen optimale”, tha më tej Daja mbi gjendjen e ekipit.

Sa i përket sfidës me Lushnjen, e cila mund të mendohet e lehtë “në letër”, Daja nuk e konsideron të tillë.

“Pavarësisht se shumëkush mund ta mendojë si një fitore pa shumë mundim, rezultatet e javës së fundit të kampionatit treguan se nuk ka më ndeshje të lehta dhe duhen vlerësuar maksimalisht të gjithë ekipet. Për më tepër që Lushnja në fushën e vet, pavarësisht pikëve që ka, bën një futboll të mirë”, deklaroi Daja.

Kjo do të jetë java e parafundit e kampionatit, më pas do të fillojnë pushimet dhe Skënderbeu, nisur edhe nga impenjimet europiane, duket se është skuadra të cilës i nevojiten më tepër.

“Për momentin nuk kemi kohë të mendojmë për pushimet, sepse pas Lushnjes do të luajmë sërish të premten e ardhshme ndeshjen e fundit të këtij viti. Besoj se pas asaj ndeshjeje, ekipi do të marrë disa ditë pushim, siç e kemi programuar, për të vijuar më tej me fazën përgatitore që do të zhvillojmë në Antalia. Skuadra, sigurisht që ka pasur ngarkesë fizike dhe psikologjike, sepse kanë qenë ndeshje me nivel të lartë impenjativ, por edhe shumë të ngjeshura. Por të them të drejtën edhe kjo ka pasur pozitivitetin e vet, sepse na ka futur në një tjetër ritëm”, tha Ilir Daja.

Tekniku Daja ndien keqardhje për thyerjen e rekordit të pamposhtmërisë deri para Laçit, por duke parë kryesimin e renditjes, si dhe statistikat si ekipi që ka shënuar më shumë e ka pësuar më pak, trajneri i “ujqërve të dëborës” shprehet optimist se është në rrugën e duhur.

“Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë këtë rrugëtim që kemi kryer gjatë të gjithë kësaj periudhe”, mbylli intervistën e tij Daja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA