Gjykata e Tiranës vendosi të premten që të detyrojë prokurorinë të vazhdojë hetimet për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE.
Hetimet për këtë çështje u kërkua nga komisioni hetimor parlamentar për privatizimin e OSHEE te kompania CEZ. Deputetët e mazhorancës miratuan një raport me fakte dhe dëshmi që e dorëzuan në prokurori.
Sipas tyre në procesin e privatizimit janë vërejtur shumë shkelje, duke akuzuar si persona përgjegjës që nga ish kryeministri Sali Berisha e deri tek ndërmjetësit, që sipas raportit të deputetëve të mazhorancës mund të jenë përfitues.
Por prokuroria e Tiranës nuk e pa të arsyeshme të hetonte këtë denoncim dhe vendosi pushimin e tij. Me reformën në Drejtësi, në bazë të ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, pushimi i hetimeve duhet të miratohet edhe nga gjykata.
Dhe kjo e fundit nëpërmjet gjyqtarit Lazer Sallaku nuk ishte në një mendje me organin e akuzës duke e detyruar atë, që të plotësojë hetimet e kryera edhe me veprime të tjera proceduriale. Për këtë çështje katër ditë më parë ishte i pranishëm edhe ish kryetari i komisionit hetimor parlamentar deputeti socialist, Taulant Balla, i cili akuzoi prokurorinë se nuk e kishte verifikuar fare materialin denoncues të ardhur nga Kuvendi.
Top Channel