Spanja rrezikon të përjashtohet nga Botërori i Rusisë. Lajmi i bujshëm publikohet nga e përditshmja spanjolle “El Pais”.
Sipas saj, në zyrat e Federatës Spanjolle të Futbollit ka ardhur një letër e FIFA-s, e cila bën një paralajmërim të fortë duke theksuar se përfaqësuesja iberike mund të përjashtohet nga Kupa e Botës për shkak të ndërhyrjes së organeve qeveritare në çështjet e Federatës.
Ishte propozimi i i Këshillit të Lartë Sportiv për përsëritje të zgjedhjeve, që u bënë në muajin maj, shkaku i këtij kërcënimi të FIFA-s.
Ky Këshill, kohët e fundit dërgoi një kërkesë në zyrat e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, ku kërkohej përsëritja e procesit të zgjedhjeve, kërkesë kjo që jo vetëm u pranua nga ky institucion, por ky i fundit doli me një rezolutë në favor të këtij procesi.
FIFA e konsideron këtë qëndrim të Këshillit të Lartë Sportiv, si një ndërhyrje qeveritare që vë në rrezik autonominë e Federatës dhe që shkel statutin e saj.
Sipas “El Pais”, Këshilli i Lartë Sportiv kërkonte daljen tërësisht jashtë loje të Villar, duke qenë se ai vazhdon të jetë ende president i këtij institucioni, edhe pse i pezulluar, duke vënë në rrezik edhe vazhdimësinë e Larreas, që pretendonte të qëndronte në këtë detyrë deri në vitin 2020.
Këshilli i Lartë Sportiv ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë paralajmërim të tillë, megjithatë vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e tij për përsëritjen e të gjithë procesit zgjedhor, duke parë edhe parregullsitë e zbuluara gjatë operacionit “Soule”.
Situata në Spanjë ka tërhequr vëmendjen e Italisë, e cila do të marrë vendin e iberikëve në Rusi, nëse ata përjashtohen. Një histori që përsëritet, duke qenë se edhe Peruja para pak kohësh u ndodh në të njëjtën situatë.
Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i qeverisë së futbollit spanjoll, që ka përgënjeshtruar lajmin për kërcënimin e FIFA-s. Presidenti i “RFEF”-së, Larrea pranoi se u takua me Infantinon gjatë shortit të Kupës së Botës, duke e vënë në dijeni për atë çfarë po ndodhte në futbollin spanjoll.
Në të njëjtën kohë, Larrea i ofroi edhe një takim të mundshëm me ministrin e Arsimit, Inigo Mendez de Vigo, dhe Sekretarin e Shtetit, Lete, një takim që sipas tij do të jetë vetëm informativ dhe jo ndëshkues.
“Askush nuk do ta përjashtojë Spanjën nga Botërori, – theksoi Larrea. – Është e pamundur. Ky është kulmi që flitet për të tilla gjëra. Nuk kuptoj çfarë pretendojnë, të largojnë Spanjën për të sjellë Italinë në Botëror? Federata po funksionon normalisht, Spanja e fitoi kualifikimin në fushë, e në këtë pikë FIFA dhe ne jemi në një mendje”.
Top Channel