Partia Demokratike njoftoi mbi vizitën e Lulzim Bashës në Londër, ku mori pjesë në konferencën e organizuar nga Konservatorët britanikë mbi Sfidat në Ballkanin Perëndimor.
Sipas PD-së, gjatë qëndrimit në Londër, kryetari i Partisë Demokratike bashkëbisedoi edhe me komunitetin shqiptar të Londrës. Lidhur me çështjen e kryeprokurorit, Lulzim Basha e krahasoi vendimin e Edi Ramës për ta marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat. Basha tha se shqiptarët e kanë vuajtur këtë nën diktaturë dhe se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, Qeverinë dhe Drejtësinë.
“Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë 18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”, tha Basha.
Kreu i opozitës shtoi se e vetmja rrugë për një drejtësi të reformuar kalon përmes zbatimit të Kushtetutës siç u miratua në 22 Korrik 2016.
Lulzim Basha theksoi se Partia Demokratike e ka treguar me prova, si në rastin e heqjes së vizave, se ka vullnet për ta luftuar krimin: “Krimin do ta shtypim dhe Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Europian dhe shqiptarët nuk do të shkojnë më si refugjatë, por do të shkojnë të punojnë siç punojnë polakët, bullgarët, rumunët, me kokën lart me pasaportë shqiptare dhe të kenë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ky është qëllimi im. Ky është objektivi qe i kam vënë vetes”.
Top Channel