Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Rod Rosenstein u tha ligjvënësve të mërkurën se ai nuk ka arsye për të shkarkuar prokurorin e posaçëm, Robert Mueller, i cili po drejton hetimin mbi ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhje.
Rosenstein dëshmoi para Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, një ditë pasi u bënë publike qindra mesazhe të shkëmbyera mes dy zyrtarëve të FBI-së në ekipin e hetuesve “Mueller”.
Në mesazhe, ata shfaqnin pikëpamje kundër kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke bërë që disa ligjvënës të vënë në dyshim paanshmërinë e FBI-së, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit.
Rosenstein, i cili është personi që emëroi Mueller dhe që mbikëqyr punën e ekipit të tij, u përball me pyetje rreth prokurorit të posaçëm nga anëtari demokrat i Komisionit, Jerrold Nadler.
“Nëse ju urdhërojnë sot ta shkarkoni zotin Mueller, çfarë do të bënit?”, pyeti Nadler.
“Nëse do të kishte arsye bindëse, do të ndiqja rregullin”, u përgjigj Rosenstein, i cili shtoi se deri tani nuk ka gjetur ndonjë arsye bindëse.
Pikëpyetjet rreth integritetit të hetimit të prokurorit të posaçëm u ngritën pas shkarkimit gjatë verës, të agjentit të FBI-së Peter Strzok, pas zbulimit të mesazheve që ai kishte shkëmbyer me avokaten e FBI-së Lisa Page.
Mesazhet, të zbuluara së pari në media gjatë këtij muaji, iu dorëzuan komisioneve të Kongresit dhe u komentuan gjerësisht nga disa media mbrëmjen e së martës.
Atje, Page e përshkruante atëherë kandidatin republikan si një “njeri të neveritshëm”, ndërsa Strzok përgjigjej: E megjithatë, ai mund të fitojë (në zgjedhje).
Kur Strzok e pyeste nëse besonte se Trump do të ishte një president më i keq sesa republikani Ted Cruz, Page përgjigjej: Po, ashtu mendoj.
Top Channel