Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit kishte parashikuar paraditen e kësaj të enjteje, si kohën për të formalizuar sanksionet ndaj autorëve të dhunës ekstreme në një ndeshje të Kategorisë së Dytë.
Por, të mbyllur brenda 4 mureve, anëtarët e Komisionit me sa duket ende nuk e kanë gjetur akordin. Për këtë arsye u vendos shtyrja për të premten e vendimit për dhunën në Përmet.
Komisioni po vazhdon vëzhgimin dhe vlerësimin e pamjeve filmike të reja, por edhe informacioneve të mbledhura nga inspektorët për këtë incident. U dëgjuan pretendimet, si nga ana e klubit organizator, Përmetit, ashtu dhe nga ana e Këlcyrës, ekip tek i cili pritet të rëndojë më shumë bilanci i dënimit.
Ndeshja e Kategorisë së Dytë u ndërpre në minutën e 75-të, kur rezultati ishte në barazim 1-1. Gjyqtari kryesor Alvi Paço akordoi penallti për Përmetin, vendim që u kontestua fuqimisht.
Ajo çfarë pasoi ishin një mori grushtesh dhe shkelmash në drejtim të “xhaketave të zeza”, në ndeshjen që nuk rifilloi më.
Përmeti pritet të marrë fitoren 3-0 në tavolinë, ndërsa Këlcyrës do t’i dënohen disa nga protagonistët e sulmit ndaj gjyqtarit, si masat më të lehta. Sanksioni më ekstrem, nëse formalizohet, do të jetë pezullimi i këtij ekipi nga aktiviteti.
Top Channel