Akuzat për krimin, Berisha: Po mbroni Tahirin! Rama: Do të flasë ligji

14/12/2017 19:59

Në mungesë të Lulzim Bashës, që ndodhet në Londër për një takim të konservatorëve nga Ballkani me Kryeministren Tereza May, debati në Parlament u dominua nga kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha akuzoi Ramën se ka frikë ta lëshojë ish-ministrin e Brendshëm Tahiri.

Berisha: Pa na thuaj pak për ca e çove Spartak Brahon të nesërmen e kapjes së parave, tek drejtori policisë Qato. A e dini se thonë që në makinë me Sotën ka qënë vetë Saimir Tahiri? A e morët vesh se ka çuar Agaçion për t’i nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar.

Edi Rama ua ka lënë përgjigjen agjencive të zbatimit të ligjit.

Rama: Është një luftë që zhvillohet nga organet ligjzbatuese, në bashkëpunim të ngushtë me agjenci të superspecializuara, që janë në punë çdo ditë dhe shumë shpejt shqiptarët do të shohin edhe çfarë do t’ju sjellë reforma në drejtësi, çfarë do t’ju sjellë vetting-u, çfarë do t’u sjellë operacioni “Forca e Ligjit” dhe çfarë do t’u sjellë investimi në votën e 25 qershorit”.

Berisha: Po ore po, po Balili të ka në grusht ty. Videon e orgjive të tua në Santa Quaranta ua ka dërguar të gjithëve.
Rama: Merreni me qetësi, merreni me dashuri, siç ju porosit edhe Presidenti jonë i nderuar, që s’e kemi mes nesh, po është këtu si frymë dhe si shpirt mes jush dhe katër vjet, aty jeni.

Një ironi për Ilir Metën, kjo e Kryeministrit, ndërkohë që socialistët e nisën këtë seancë pikërisht me sulm ndaj LSI-së.

Erjon Braçe publikoi dy kontrata që ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka lidhur me vëllain dhe nipin e Klement Balilit, edhe kur ish-Drejtori i Transporteve Sarandë u shpall në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

“Një kontratë e nënshkruan në datën 20 maj 2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë së “Balili”. Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë në vendin fqinjë, por edhe agjencitë ligjzbatuese në Tiranë shpallën në kërkim Klement Balilin, kjo është një tardhti që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo është një kontratë e dhënë pikërisht për këta njerëz, nga partia e tyre në kohën kur këta njerëz ishin shpallur në kërkim nga drejtësia. Është shpërndarë tokë vetëm me qëllime partiake dhe elektorale”, tha Braçe.

Ministri i Bujqësise, Niko Peleshi tha se çdo kontratë po auditohet. Ndërsa ish-ministri Panariti reagoi në Facebook, kur tha se kontratat janë ligjore dhe firma mbi vendim është e gjithë qeverisë. Në sallën plenare reaguan mbi këtë debat edhe demokratët.

“Sot dëgjuam gjënë më qesharake që Klement Balili po na e mbron opozita. Opozita është fajtorja që ai është baroni i drogës së rajonit. Tani na thonë se do ta arrestojnë për një kontratë toke bujqësore. Jo, Klement Balilin ta arrestoni se është baroni i drogës së rajonit dhe të mos e mbani të fshehur dhe të arrestoni edhe Saimir Tahirin që është bashkëpunëtor”, tha Spaho.

Taulant Balla përfshiu në akuza dhe Lulzim Bashën kur tha se ka firmosur në 2010 kalimin në pronësi të Balilit, tokën ku u ngrit hoteli Santa Quaranta. Por Jorida Tabaku deklaroi se Basha si ministër i Brendshëm ka bërë vetëm inventarizim të 115 pronave të sindikatave kryesisht kampe punëtorësh.

Seancës nuk i munguan dhe bllokimet e foltores dhe kjo është e zakonshme, sa herë që Rama prek me fjalët e tij Berishën. E pazakonta është se foltorja u lirua me këshillë të Berishës, në zbatim të urdhrit të Ruçit që deputeti i PD-së të qëndrojë larg kësaj seance.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA