Bukurosh Çerekja është 75 vjeç dhe 50 vite të jetës së tij ia ka kushtuar profesionit të stomatologjisë, detyrë të cilën ende nuk ka dëshirë ta lerë.
E ndërsa thekson vështirësitë me të cilat përballej një mjek dentist shumë vite më parë, Çerekja flet edhe mungesën e dëshirës se brezit të ri për të punuar.
“Janë caktuar shumë mjekë në qendër, nga shteti. Për mendimin tim, fshati nuk duhet të mbetet i zbuluar. Janë përqendruar në qytete, cilësia e shërbimit është rritur. Por në zonat e thella nuk kemi shërbime”, tha Bukurosh Çerekja.
Të mbledhur në një Konferencë Shkencore, organizuar nga Urdhri i Stomatologut dega Elbasan, stomatologët ngritën problemin e formalizimit të tregut.
“Problemi themelor është formalizimi i tregut, ne u themi qytetarëve të mos shkojnë në një klinikë të pa certifikuar, sepse është i pambrojtur për çdo problematikë shëndetësore”, u shpreh Nikollë Deda, presidenti kombëtar i Urdhrit të Stomatologut.
Gjithashtu z. Deda u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm teksa kërkojnë ndihmën e stomatologëve, pasi vetëm një klinikë e licensuar mban të gjitha përgjegjësitë ligjore për shërbimin që ofron.
Top Channel