Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë me gazetarët tha se sot nuk kemi një krizë të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, por një krizë të dhunimit të Kushtetutës dhe bllokim të qëllimshëm të reformës në drejtësi.
“Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 3/5 e Parlamentit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP zgjedh tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit sipas ligjit. KLP duhet të ishte krijuar që më 7 prill 2017. Ligji për prokurorin i kaluar në mënyrë tinëzare pa opozitën, dhunon rëndë Kushtetutën dhe saboton krijimin e KLP dhe SPAK-un dhe Byrosë së Hetimit, çka favorizon zgjedhjen e një kryeprokurori politik pa veting dhe të kapur nga 36 deputetë”, deklaroi Basha.
Basha nuk pranoi të komentonte deklaratat e një dite më parë të Ambasadorit Amerikan Donald Lu.
“Nuk komentoj dhe nuk kam komentuar asnjëherë ambasadorët e huaj. Personalisht nuk e imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik të kërkojë të shkelet Kushtetuta, apo t’i kërkojë Kuvendit të mos bëhet vetingu i Prokurorit të Përgjithshëm”, vijoi kreu i PD.
Basha bëri përgjegjës Kryeministrin Rama për moskrijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke shtuar se ka të gjitha arsyet të besojë se kjo është diçka e qëllimshme. Ndërkohë, Kryeministri Rama i është përgjigjur në rrjetin social Facebook nëpërmjet një postimi.
“A ka budalla që e beson se SHBA/BE duan prokuror të përkohshëm për të mbyllur dosje hetimore duke shkelur Kushtetutën!Hajde politikë hajde!”, shkruan ai.
Edhe për Monika Kryemadhin procedura është e paligjshme, por LSI shprehet e gatshme për ndryshime ligjore për daljen nga ngërçi.
“Ne si LSI jemi shumë të hapur për të rifilluar diskutimin. 19 votat tona janë të gatshme për ta ndryshuar ligjin për Prokurorinë, pra KLP. Le ta përjashtojmë shoqërinë civile, meqë ka ngelur vetëm kandidati i shoqërisë civile pa u bërë pjesë e KLP. Kur të jetë gati shoqëria civile për të qenë pjesë e reformës, e rifusim në Kushtetutë”, deklaroi Kryemadhi.
Në rast se socialistët do të zgjedhin një kryeprokuror të përkohshëm, LSI thotë se do të bashkëveprojë me demokratët për protesta. Edhe PDIU u pozicionua në krah të partive opozitare.
Top Channel