Në takimin e fundivitit me ambasadorët dhe përfaqësues të trupit diplomatik të huaj në Tiranë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i cilësoi si vendimtarë për integrimin 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Kryediplomati shqiptar thotë se pikërisht në këtë periudhë Shqipëria pret që të çelen negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Ndërkohë, Bushati përmendi disa nga arritjet e diplomacisë për këtë vit. Ai u ndal tek bisedimet me Greqinë për zgjidhjen e çështjeve që ndajnë dy vendet dhe progresin e bërë në to, por edhe tek nismat e tjera të bashkëpunimit rajonal.

Bushati përmendi ngritjen e qendrës rajonale rinore në Tiranë, por edhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve bashkëpunimi në fusha të ndryshme me vendet e tjera të Ballkanit.

Një prioritet për vitin e ardhshëm, tha ai, është diaspora.

“Përfshirja më shumë e diasporës, duke filluar nga viti tjetër regjistrimi i shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, vijoi Bushati.

Ministri i Jashtëm deklaroi se shumë shpejt do të ketë një mbledhje të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë.

Shumë shpejt mbledhja e përbashkët e qeverive me Maqedoninë.

Top Channel