Një fitore e vuajtur 1-0 pas plot 120 minutash lojë por që në fund shpërbleu Gremion që mposhti meksikanët e Pachucas në gjysmëfinalen e parë të Botërorit të klubeve duke u kualifikuar në finalen e madhe.
Me shumë mundësi Gremio do të ketë përballë gjigantët e Realit të Madridit në finale, të cilët do të sfidojnë këtë të mërkurë në gjysmëfinalen tjetër skuadrën vendase të Al Jaziras.
Në Al Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe, 90 minutat e kohës së rregullt ishin në baraspeshë totale madje Pachuca u shfaq në disa raste e rrezikshme me ish lojtarin e Milanit, japonezin Honda.
Në shtesë gjithsesi Gremio vuri diktatin duke zhbllokuar shifrat në minutën e 94-ët me një gol të bukur të realizuar nga Everton që i dha kualifikimin skuadrës së trajnerit Renato Gaucho.
Në minutën e 110 meksikanët mbetën edhe në inferioritet numerik pasi Guzman u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Felix Brych.
Top Channel